MOSCHEE ARDHMËRIA "LENZBURG"
Xhamia Ardhmëria Lenzburg
Historia jonë · Unsere Geschichte

HISTORIA

Xhamia Ardhmëria në Lenzburg u themelua më 27.03.2006 nga Abaz Avziu dhe Bujar Memedi, të dy me origjinë nga Çegrani i Gostivarit. Qëllimi i themelimit ishte krijimi i një vendi të qëndrueshëm për falje, edukim dhe organizim fetar për komunitetin mysliman në këtë zonë. Falë Zotit, ky qëllim u realizua.

Gjatë vitit të parë, xhamia u mbajt me financat private të themeluesve. Në fillim, objekti kishte funksion të dyfishtë: një pjesë shërbente si klub, ndërsa pjesa tjetër si faltore. Me rritjen e numrit të anëtarëve, hapësirat u riorganizuan sipas nevojave të xhematit.

Namazi i parë i xhumasë u fal më 31.03.2006, nën udhëheqjen e imamit të parë, H. Servet Bajrami nga Çellopeku i Tetovës. Në atë ditë, xhemati përbëhej nga imami dhe vetëm tre besimtarë. Me kalimin e kohës dhe përmes përkushtimit të vazhdueshëm, numri i anëtarëve arriti në rreth 70–80 gjatë vitit të parë.

Një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë periudhë dha H. Servet Bajrami, i cili shërbeu për dy vite radhazi pa pagesë, duke ndihmuar në themelimin dhe qëndrueshmërinë e xhamisë në fazat e para të saj.

Objekti i xhamisë u mor nga komuniteti boshnjak, të cilët më pas u bashkuan për një periudhë me xhematin. Gjatë kësaj kohe, fëmijët vijonin mësim-besimin ditëve të dielave.

Në fillim, ditëve të martë në mbrëmje organizoheshin aktivitete për gratë e komunitetit boshnjak, të cilat mësonin Kuranin në xhami. Ndërsa në vitet e fundit, këto aktivitete zhvillohen nga gratë e anëtarëve të xhamisë, të cilat angazhohen çdo të hënë në mbrëmje në mësim-besim dhe mirëmbajtjen e xhamisë.

Në zhvillimin e mësim-besimit dhe edukimin e fëmijëve kontribuan: Hoxha Nimetulla Bekjiri nga Gradeci i Gostivarit dhe H. Imerli Idrizi nga Forina e Gostivarit, i cili dha një kontribut të rëndësishëm si ndihmës imam në faljen e namazit dhe në edukimin fetar të fëmijëve. Në këtë periudhë, rreth 30–35 nxënës ndiqnin mësimet fetare.

Me përkushtimin e tyre, më 16.06.2012 u organizua ceremonia e hatmes për 12 nxënës, e cila përbën një moment të rëndësishëm në zhvillimin edukativ të xhamisë. Në vitet në vijim, në xhami shërbyen edhe imamë të tjerë: Besir Emini nga Korita e Gostivarit dhe Hafëz Latifulla Baki nga Gostivari. Me ardhjen e Hafëz Latifulla Baki, xhamia përjetoi një gjallërim të dukshëm, duke arritur mbi 200 anëtarë, si dhe një zhvillim të theksuar në jetën fetare dhe edukative. Pas kësaj periudhe, xhamia u shërbye nga imamë mysafirë deri në vitin 2026.

Nga viti 2026, xhamia ka imam të rregullt Mevlan Limani, i lindur më 1998, i cili ka përfunduar studimet në Medresenë e Shkupit dhe në Universitetin Al-Azhar në Kajro.

Gjatë viteve, drejtimin e xhamisë e kanë mbajtur: Muamet Lezami nga Çellopeku i Tetovës, Abdilezel Idrizi nga Forina e Gostivarit, Adis Ameti nga Çegrani i Gostivarit, Dzemil Dehari nga Çellopeku i Tetovës dhe Abaz Avziu nga Çegrani i Gostivarit. Menaxhimi financiar është realizuar nga Elami Zahiri nga Gjilani i Kosovës dhe Qail Abduli nga Çegrani i Gostivarit. Ndërsa nga viti 2026, arkatar është Mehaz Limani nga Çegrani i Gostivarit.

Xhamia Ardhmëria ka zhvilluar vazhdimisht aktivitete fetare dhe edukative. Aktualisht, rreth 50 nxënës të moshës 8–18 vjeç ndjekin mësim-besimin. Gjatë muajit të Ramazanit, xhamia organizon iftare të përditshme dhe pret mysafirë dhe ligjërues nga vendlindja. Një rol të veçantë në këto aktivitete ka rinia e xhamisë, e cila angazhohet me përkushtim në shërbim të xhematit dhe mysafirëve.

Sot, Xhamia Ardhmëria numëron rreth 270 anëtarë. Kontributi i xhematit dhe anëtarëve ka qenë vendimtar në ekzistencën dhe zhvillimin e xhamisë. Falë përkushtimit të tyre, që nga fillimi e deri më sot, është bërë e mundur të arrihet deri te iniciativa dhe përpjekja për të siguruar një vend për xhami, në shërbim të brezave të ardhshëm.